Uji nuk është luks, apeli i Vatan Istrefajt për ndërhyrje
Këshilltari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Vatan Istrefaj, ka ngritur alarmin për një nga problemet më të mëdha që po godet komunën këto ditë të nxehta: mungesa e ujit të pijshëm.
Në një video-mesazh të publikuar në Facebook, ai thekson se në kulmin e temperaturave rekorde, shumë fshatra të Deçanit – nga Strellci e deri në rajonin e Vokshit – po përballen me mungesë të theksuar të ujit, duke vënë në pikëpyetje nevojat më bazike të qytetarëve.
Ai shpreh shqetësimin se, përveç banorëve vendas, edhe mërgata që është kthyer për pushime po përballet me kushte të papranueshme, në një kohë kur uji nuk është luks, por domosdoshmëri. Istrefaj kërkon reagim të menjëhershëm nga komuna, duke theksuar se kjo situatë nuk zgjidhet me fjalë, por me veprime konkrete.
Postimi i plotë:
Në këtë vapë përvëluese, me temperatura rekorde, deçanasit kanë një hall të madh, mungesën e ujit.
Mërgata është kthyer në shtëpi, por në vend të çmalljes, po përballen me probleme elementare.
Uji nuk është luks, është domosdoshmëri.
Me këtë gjendje përballen shumica e fshatrave të Deçanit, duke filluar nga Strellci e deri në rajonin e Vokshit. Kjo situatë ka nevojë për ndërhyrje urgjente nga komuna, e jo vetëm fjalë.

