"Me vizion të ri, Vatan Istrefaj rikandidon për mandatin e dytë në Deçan"

DeçanPostuar: 19:03 / 31.07.2025

Kandidati për kryetar të Komunës së Deçanit nga radhët e LDK-së, Jeton Mushkolaj, ka bërë të ditur se Dr. Vatan Istrefaj do të rikandidojë për një mandat të dytë si këshilltar komunal.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mushkolaj ka thënë se Istrefaj është zë i fortë i qytetarëve  dhe një nga figurat më të respektuara në jetën politike dhe profesionale të Deçanit.

Përmes këtij rikandidimi, ai konfirmon vazhdimësinë e angazhimit të tij në shërbim të komunitetit, me fokus të veçantë në transparencë, zhvillim të qëndrueshëm dhe përfshirje aktive të të rinjve në vendimmarrje.

Postimi i plotë:

“Një zë i fortë për qytetarët – Dr. Vatan Istrefaj, pjesë e listës sonë për fitore dhe ndryshim!
Në listën tonë të asambleistëve, tanimë i shtohet edhe Dr. Vatan Istrefaj – një prej zërave më të vendosur, më të guximshëm dhe më të dëgjuar në Kuvendin Komunal të Deçanit. Me një përvojë të konsoliduar dhe një angazhim të palëkundur në mbrojtje të interesit publik, Dr. Istrefaj është mishërim i politikës së ndershme dhe vizionit të qartë që kërkon ky qytet.

I lindur e rritur në Strellc – truall i njerëzve me karakter, guxim dhe besnikëri – ai përfaqëson brezin e dytë të LDK-së, duke e mbajtur gjallë frymën e vlerave të pastra dhe përkushtimit ndaj qytetarit. Si kryetar i Forumit Rinor të LDK-së në Deçan, ka qenë udhëheqës dhe frymëzues për të rinjtë, duke i bërë pjesë aktive të ndryshimit që duam ta shohim.

Përtej politikës, ai është një emër i respektuar në fushën e stomatologjisë – profesionist me integritet, etikë dhe përkushtim ndaj njerëzve. Kjo e bën Dr. Vatan Istrefajn jo vetëm një përfaqësues të denjë, por edhe një model lidershipi që bashkon dijen, përvojën dhe njerëzoren në një mision të përbashkët.

Ky kombinim unik i eksperiencës institucionale, energjisë rinore dhe përgjegjësisë profesionale është ajo çfarë i duhet Deçanit sot – për një të nesërme më të mirë.

Dr. Vatan Istrefaj rikandidon me energji të re dhe vizion të fuqishëm – për një Deçan që udhëhiqet me nder, përfaqësohet me dinjitet dhe ecën me hapa të sigurt drejt zhvillimit.”