Lipjani bëhet me kompleks sportiv modern
Kryetari i Komunës Imri Ahmeti së bashku me Ertan Munoglu nga projekti Demos, në orët e mbrëmjes së sotme kanë bërë përurimin e kompleksit sportiv afër stadiumit të qytetit në Lipjan, projekt i bashkëfinancuar ndërmjet Komunës së Lipjanit dhe organizatës zvicerane Helvetas – Demos.
Gjatë kësaj ceremonie Kryetari Imri Ahmeti, tha këto tri fusha moderne sportive janë shpërblim për qytetarët lipjanas, për menaxhim të mirë të parasë publike dhe përformancës së mirë që ka treguar Komuna e Lipjanit gjatë tri viteve të fundit, raporton InfoKomuna.
Kryetari Ahmeti po ashtu ka falënderuar organizatën zvicerane Helvetas - Demos, si dhe qytetarët lipjanas të cilët në vazhdimësi kanë qenë bashkëpunues për realizimin e shumë projekteve, të cilët kanë qenë korrektë në pagimin e obligimeve e veqanërisht tatimit në pronë.
I pari i Lipjanit Imri Ahmeti po ashtu ka bërë të ditur për të gjithë sportdashësit lipjanas se edhe realizimi i projektit në ndërtimin e Stadiumit të Qytetit është drejt finalizimit.
Nga ana tjetër Ertan Munoglu, zëvendës-menaxher i projektit, falënderoi Komunën e Lipjanit për bashkëpunim gjatë realizimit të projektit. “Realizimi i këtij kompleksi sportiv do t’iu ofrojë qytetarëve të Lipjanit një hapësirë të standardeve evropiane për të realizuar aktivitet e tyre rekreative- sportive”, tha Munoglu.
Pas ceremonisë së hapjes, është zhvilluar një lojë tenisi ndërmjet Kryetarit Imri Ahmeti dhe përfaqësuesit të Helvetas–Demos; si dhe një lojë futbolli mes veteranëve të “Ulpianës”dhe zyrtarëve komunalë. Në këtë kompleks të ri mund të luhen dhe lojëra të tjera , si futboll i vogël teni, basketboll etj.
Kjo hapësirë, e cila ka qenë e pashfrytëzueshme, tani do të jetë në shërbim të qytetarëve për aktivitete sportive-rekreative./InfoKomuna/