340 mijë euro për stadiumin e Kaçanikut
Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala për projektin Renovimi i Stadiumit të futbollit në Kaçanik.
Memorandumi i nënshkruar mes palëve parasheh që investimi të kryhet në një fazë dy vjeçare. Komuna e Kaçanikut, në bazë të dokumentit të nënshkruar, merr për obligim të investojë 140 mijë euro, 70 mijë në vitin 2016, ndërkaq 70 mijë euro në vitin 2017, kurse MKRS-ja do të investojë mjete financiare me një shumë prej 200 mijë euro.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin dhe u shpreh se ky projekt për stadiumin është në të mirë të interesave të futbollistëve dhe të qytetarëve të kësaj komune, të cilët do të kenë kushte për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Nga ana e tij, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, u shpreh se financimi i këtij projekti të rëndësishëm kapital për Komunën e Kaçanikut është në kuadër të investimeve që po bën MKRS-ja nëpër tërë Kosovën, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës për sportin e Kosovës.
Ky stadium do të jetë një hapësirë e rëndësishme për sportistët e Kaçanikut dhe shërben për krijimin e kushteve më të volitshme për këta sportistë që të zhvillojnë sport cilësor dhe të korrin rezultate.
Në takim u diskutua edhe për mbarëvajtjen e punimeve në Palestrën e Sportit, që është duke u ndërtuar në qytetin e Kaçanikut, ku në bazë të planifikimeve buxhetore në periudhën 2016 2018, MKRS-ja do të investojë edhe gjysmë milioni euro në këtë projekt kapital./InfoKomuna/