Nënshkruhet marrëveshja që zgjidh çështjen e ndriçimit publik në komunën e Shtimes

ShtimePostuar: 10:23 / 29.03.2024

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe Ministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nënshkruan marrëveshjen e Grantit të Performancës Komunale që do të zgjidhë thuajse në tërësi çështjen e ndriçimit publik në këtë Komunë.

“Me kënaqësi të veçantë, me Ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi nënshkruam marrëveshjen për projektin që do të realizohet në kuadër të Grantit të Performancës Komunale dhe që pothuajse në tërësi do ta shtrijmë rrjetin e ndriçimit publik gjithandej Komunës sonë, në të gjitha fshatrat si dhe në zonën urbane”, tha Aliu, duke bërë të ditur se ndriçimi publik ishte premtim dhe do të realizohet në tërësi.

“Është arritje e kënaqësi që këtë premtim ta përmbushim plotësisht me Grantin e Performancës Komunale, si dëshmi e mirëqeverisjes dhe e angazhimit tonë të përditshëm për qytetarët tanë.  Ky Grant është mundësi shtesë që na ndihmon ta tregojmë përkushtimin tonë ndaj qytetarëve tanë, me investime në dobi të mirëqenies dhe rritjes së shërbimeve ndaj tyre”, tha Aliu.

Këtë buxhet, prej afro 400 mijë euro nga Granti i Performancës Komunale për qeverisjes transparente, Komuna e Shtimes do ta investojë në ndriçim publik.