"Heronjtë e harruar të Deçanit"
Këshilltari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Vatan Istrefaj, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen punëtorët e NPL “Higjiena”, duke i quajtur ata “heronj të harruar”. Në një postim në Facebook, ai ka kritikuar menaxhmentin dhe komunën për shpërfilljen sistematike të punëtorëve të terrenit, të cilët, sipas tij, punojnë pa kushte minimale, pa veshje të përshtatshme pune, me paga të ulëta dhe shpesh pa u paguar me kohë.
Ai ka theksuar se ndërmarrja është keqmenaxhuar në mënyrë kronike, me shtim të punës në operativë dhe rritje të stafit administrativ, ndërkohë që mungojnë planet për menaxhimin e mbeturinave dhe masat ndaj ndotësve. Istrefaj paralajmëroi se kjo situatë do të marrë fund më 12 tetor dhe se përgjegjësit për gjendjen aktuale do të përballen me drejtësinë.
Postimi i plotë:
Këta janë punëtorët e NPL “Higjiena”, heronjtë e harruar. Ata kujdesen për qytetin, por jo menaxhmeti dhe komuna për ta.
Operativa janë ata njerëz që i shohim në punë, që veç mundit të tyre, mbajnë në barrë një menaxhment të keq dhe një aksionar të papërgjegjshëm si komuna.
Ata mbajnë të pastër Deçanin, pa orar, pa veshje pune, pa kushte minimale, me paga mjerane. Shpeshherë nuk i marrin as pagat me kohë, për shkak të keqmenaxhimit financiar në ndërmarrje. Ata janë krenaria e qytetit, por të trajtuar si të padukshëm.
Përderisa numri i të punësuarve po rritet në menaxhment dhe administratë, në operativë rritet vetëm volumi i punës. Që së paku 1 herë në javë u shërbejnë gati 7500 ekonomive familjare, bizneseve dhe institucioneve publike.
Raporti i performancës për vitin 2023 flet qartë: plani për menaxhimin e mbeturinave 0%, asnjë gjobë për ndotësit, asnjë objekt i ri që zbaton lejet mjedisore.
Për më keq, punëtorët detyrohen të vozisin mjete të paregjistruara, të rrezikshme. Ata janë nën presion të vazhdueshëm nga menaxhmenti. Zyrtarët, në vend se t’i ndihmojnë me masa konkrete, janë bërë barrë shtesë duke i shfrytëzuar për punë jashtë përshkrimit të tyre.
Si rezultat, shumë prej tyre janë në pushim mjekësor, pa sigurim shëndetësor. Kjo heshtet dhe mbulohet nga një menaxhim që e trajton ndërmarrjen si mjet personal e partiak, më shumë se shërbim publik.
Këtu barra ka rënë mbi njerëzit me paga të ulëta, shëndet të rënduar e krah të lodhur. Nëse kjo nuk ndalet, nuk po shkatërrohet vetëm ndërmarrja, dëmtohet ambienti dhe nëpërkëmbet dinjiteti i atyre punëtorëve.
Kjo gjendje e mjerueshme e ndërmarrjes do të marrë fund më 12 tetor. Po ashtu, djersa e punëtorit do të vlerësohet ashtu siç duhet, ndërsa keqbërësit që e kanë dëmtuar ndërmarrjen do të përballen me përgjegjësi ligjore.

